26 Mars 2007, Gazeta Panorama http://www.panorama.com.al
| Guroret pranë fshatit Tren në rrethin e Devollit po dëmtojnë zbulimet e vjetra arkeologjike dhe shpërfillin pasuritë arkeologjike ende të pazbuluara. Alarmin e japin banorët e zonës dhe arkeologu i vjetër korçar, Skënder Aliu. Sikur të mos mjaftonte ky fakt, në zonën rreth vlerave arkeologjike të fshatit Tren, natyra ka derdhur edhe bukuri të rralla natyrore, që përbëjnë një resurs turistik, por që po dëmtohet nga firmat ndërtuese që kanë ngritur në këtë mjedis guroret dhe furrat e gëlqeres së tyre. Përgjatë rrugës që të çon në fshatin Tren të tërheqin vëmendjen shpellat karstike në Grykën e Ujkut, tre nuset e ngurtësuara dhe shpella e fshatit Tren. Sipas zbulimeve dhe studimeve të arkeologëve kjo shpellë në kohën e lashtë ka qenë e banuar dhe mbart vlera arkeologjike të shumta. Eshtë kjo arsyeja që është shpallur edhe Monument Kulture, ndërsa të tjera vlera flenë në nëntokën e kësaj treve ku përfshihet edhe liqeni i Prespës së Vogël. Duke qenë pjesë e Parkut Kombëtar të Prespës, e shpallur si e tillë në shkurt të vitit 2000, për këto vlera jo vetëm që nuk është investuar për gërmime e zbulime të reja, por aty nuk po zbatohet mbrojtja nga shteti. Në vend që pushteti vendor t'i shfrytëzojë si burim për zhvillimin e turizmit, realiteti flet ndryshe. Firma ndërtimi dhe biznese të licencuara e të palicencuara po dëmtojnë këto pasuri. Prej dy vjetësh guroret e furrat e gëlqeres që janë ndërtuar aty, po shkatërrojnë edhe pasuritë e tjera arkeologjike dhe natyrore. Banori i fshatit Tren, Vangjush Mati thotë se përballë liqenit ishin disa kodra të bukura, por që u rrafshuan nga firmat që përdorin shkëmbinjtë e zonës për prodhimin e inerteve. "Buzë rrugës automobilistike, tek Troku, po ndërtohet një gurore tjetër. Nuk di se kush u jep lejë për të ndërtuar gurore këtej nga ne, por them se është krim të dëmtosh këtë natyrë kaq të bukur". Ndërsa arkeologu i vjetër Skënder Aliu shton se pranë Shpellës së Trenit ka qenë edhe një kala, rrënojat e së cilës nuk janë studiuar. "Fatkeqësisht këto vlera po keqpërdoren dhe tronditen nga shpërthimet e dinamitit të guroreve dhe furrave të gëlqeres. Ndërsa vetë Shpellës së Trenit i është dëmtuar hyrja". Sipas tij, turistë vendas dhe të huaj tregojnë interes për këtë monument kulture shumë të vjetër dhe është me interes përgatitja e saj për t'u vizituar, por askush nuk po e vlerëson këtë fakt, që është me shumë interes për zhvillimin e turizmit në këtë zonë, ku natyra ka derdhur bukuri të rralla. Disa vjet më parë një tjetër dëm iu shkaktua liqenit të Prespës së Vogël, uji i të cilit u shfrytëzua për ujitjen e Fushës së Korçës, ndërsa liqeni u mbush me ujin e lumit Devoll, duke i shtuar tonelata aluvionesh. Tashmë, dëmi po i shkaktohet pasurive arkeologjike, me veprimtaritë e guroreve e furrave të gëlqeres të ndërtuara aty. |
CONFIDENTIALITY STATEMENT. The information contained in this e-mail message, including attachments, is the confidential information of, and/or is the property of, Vanguard. The information is intended for use solely by the individual or entity named in the message. If you are not an intended recipient or you received this in error, then any review, printing, copying, or distribution of any such information is prohibited, and please notify the sender immediately by reply e-mail and then delete this e-mail from your system.
No comments:
Post a Comment