Adri Nurellari
Gazeta Panorama
http://www.panorama.com.al
2 Prill 2007
| Shqipëria në këtë periudhë gjendet në një udhëkryq të mirëfilltë zhvillimi. Avantazhet e krahasuara me të cilat vendi ynë mund të konkurrojë janë me të vërtetë të pakta. Iluzionet e dikurshme se kinse urimet natyrore shqiptare ishin një joshje për forcat e huaja perëndimore kanë perënduar prej kohësh që kurse republikat e dala nga Bashkimi Sovjetik kanë filluar të shesin për thërrime buke në tregun botëror polimetalet që gjenden edhe në Shqipëri. Mungesa e politikave fiskale dhe administrative të përshtatshme, mungesa e zbatimit të ligjit, informaliteti i lartë dhe krimi i zhvilluar, nami i keq, vendndodhja në një rajon konfliktual, instabiliteti politik dhe ai i institucioneve, si dhe infrastruktura primitive dekurajojnë çdo investim të huaj dhe bëhen një pengesë vendimtare për zhvillimin e vendit. Nëse bëhet një analizë e përciptë mbi potencialin e zhvillimit të Shqipërisë, i vetmi avantazh i krahasuar i Shqipërisë që del menjëherë në pah është ai demografik, ose më saktë bollëku i burimeve njerëzore. Shqipëria është shteti me popullsinë më të re në Evropë duke lënë prapa edhe vendet e rajonit dhe në mënyrë të veçantë fqinjët tonë të BE-së. Italinë dhe Greqinë të cilat renditen në top-listën e kombeve më të plakura të botës. Burimet njerëzore shihen sot gjithnjë e me më shumë përparësi si çelës për zhvillimin ekonomik mirëpo ndryshe nga sa mendohet rëndom, kostoja e krahut shqiptar të punës është relativisht e lartë e krahasuar me fqinjët lindorë. E vetmja mënyrë për ta vënë në punë dhe për ta bërë efikase gjithë këtë krah të bollshëm pune është aftësimi dhe kualifikimi i saj. Në këtë linjë vlen shumë për t'u vlerësuar nisma e fundit e ministrisë së arsimit për të nxitur përhapjen dhe konsolidimin e njohjes së gjuhës angleze mes të rinjve shqiptarë. Përvoja ndërkombëtare e viteve të fundit ka dëshmuar se njohja e anglishtes është vendimtare për rritjen e aftësive konkurruese në tregun botëror të burimeve njerëzore. Mjafton të shihet sesi ekonomia e Indisë është duke ecur përpara me rritëm galopant falë mes të tjerave, edhe cilësisë së burimeve njerëzore dhe domosdoshmërisë së njohjes së kësaj gjuhe për punësimin në sektorin e shërbimeve. Dihet qartë tanimë që ekziston një lidhje e fortë midis zhvillimit ekonomik dhe komunikimit duke pasur parasysh problemin e madh qe sjell larmia e gjuhëve që fliten në botë për komunikimin dhe krijimin e marrëdhënieve të shëndosha. Në një botë gjithnjë e më globale, njohja e anglishtes sjell një avantazh të krahasuar shumë të rëndësishëm pasi gjuha angleze, për shkak të faktorëve të ndryshëm historik është përdorur tashmë gjerësisht në gjithë botën si ura e artë që lidh njerëzit që u përkasin kombeve, racave apo feve të ndryshme. Zgjerimi i pandalueshëm i tregut ndërkombëtar lë të kuptojmë se që të zhvillojmë ekonominë shqiptare duhet të jemi sa më të përgatitur për të, dhe njohja masive e gjuhës angleze është një ndër hapat kryesore. Edhe po të shihet Evropa vihet re një lidhje jo rastësore midis nivelit ekonomik dhe njohjes masive të anglishtes. Bota skandinave e ka gjuhën angleze si gjuhë të dytë amtare kurse tigri keltik, Irlanda e ka pasur njohjen e anglishtes si një ndër faktorët kryesor të boom-it ekonomik të dekadave të fundit. Nuk është e rastit që kohëve të fundit vendet që thithin me shumë investime të drejtpërdrejta të huaja janë vendet ish koloni të Britanisë si India e Pakistani, ku anglishtja është si gjuhë zyrtare. Shumë biznese perëndimore, sidomos në sektorin ë shërbimeve (ku janë të angazhuar edhe shumica e shqiptarëve), është duke u transferuar në këto vende duke përfituar nga lehtësirat që ofrohen nga njohja e anglishtes. P.sh. nëse në Britani i bëhet një telefonatë një operatori telefonik, ka shumë gjasa që të komunikojë me një indian apo pakistanez, pasi ky biznes është transferuar pothuaj i gjithi nga Britania në gadishullin indian. Masivizimi i njohjes se anglishtes nga shqiptarët mund të bëhet lehtë, duke ditur që ne jemi një komb që kemi disi prirje për mësimin e gjuhëve të huaja. Futja masive e detyruar e njohjes së anglishtes në shkollat tona ka për të sjellë një ndryshim rrënjësor në cilësinë e shkollës dhe burimeve njerëzore shqiptare. Duke qenë gjuha kryesore e komunikimit ajo është e nevojshme edhe për qarkullimin dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit shkencor, artistik dhe kulturor. Literatura që gjendet në anglisht është shumë e pasur dhe influencuese dhe mbledh përvojën e ardhur nga njerëz prej shumë vendesh. Flitet se mbi 60% e diturive të botës gjenden në qarkullim në anglisht. Anglishtja është gjuha e interneti dhe shumica dërmuese e informacionit të postuar online është në anglisht. Anglishtja mes te tjerash gëzon edhe fatin që është një gjuhë me hapësirë të gjerë që lejon njerëzit të shprehin lehtë krijimet dhe imagjinatën e tyre si dhe të komunikojnë me të tjerët në një mënyrë shumë efikase. Për më tepër zhvillimet kryesore shkencore në shekullin e njëzetë u arritën në vende anglofone si Britania dhe Amerika dhe për rrjedhoje anglishtja ka fituar në një farë mënyre të drejtën për tu konsideruar gjuha amtare e shkencës. Botimet anglisht nuk po përkthehen më në gjuhen kombëtare as në vende me gjuhë të konsoliduar dhe të përhapur si Gjermania pasi pritet që komuniteti shkencor ta zotëroje tashmë këtë gjuhë. E jo më të pritet që botimet të përkthehen në një gjuhë të kufizuar dhe aspak të përhapur me treg shumë të vogël si shqipja, Nuk do të kishte nevojë për të përkthyer tekste mësimore nga jashtë apo për të improvizuar të tilla nga pedagog shqiptarë por mund të përdoreshin drejtpërdrejtë tekstet më cilësore dhe më popullore që përdoren në SHBA ose në Britani. Për rrjedhojë zotërimi i gjuhës angleze jep mundësinë e shfrytëzimit të një gamë të gjerë burimesh dhe do të ndihmonte në rritjen cilësore të burimeve njerëzore në Shqipëri sidomos në nivelet e avancuara kërkimore shkencore. Njohja e anglishtes do të nxiste shkëmbimet ose bashkëpunimet akademike ndërkombëtare si dhe shfrytëzimin maksimal të teknologjisë së informacionit. Kështu studentët dhe kërkuesit shkencorë mund të përdorin faqet e shumta dhe të mbushura me informacion në anglisht, bibliotekat gjithnjë e më të mëdha dhe të përdorura elektronike si jstor, questia apo ebsco, kurset online dhe videokonferencat që mund të realizohen nga interneti. Bile do të bëhet e mundur organizimi i kurseve të përbashkëta universitare dhe pasuniversitare me institucione të tjera të huaja, një praktikë kjo goxha e përhapur në vitet e fundit në Evropë. Njohja e mirë e anglishtes do të rriste edhe mundësinë për mobilitetin shkencor pasi më shumë studentë do të mund të shkonin për shkëmbime shkollore ose për studime të mëtejshme në perëndim. Dhe anasjelltas, ne mund të tërheqim kërkues apo studentë të cilët janë të interesuar për rajonin apo kulturën shqiptare. Nxitja e përhapjes së anglishtes në shkollat shqiptare do të bëj të mundur gjithashtu ftesën ose përfshirjen në shkollat tona të pedagogëve ose ekspertëve të huaj për fusha shkencore për të cilat nuk ka ekspert ose përvojë në Shqipëri. Mungesa e ekspertizës për degë apo profile të caktuara, sidomos të shkencave shoqërore dhe atyre të aplikuara, ka bërë që të angazhohen në to individë që nuk kishin kurrfarë profilizimi në këto degë apo profile. Nuk është aspak e rrallë që i njëjti pedagog të detyrohet të japë tre katër lëndë mësimore të ndryshme që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën dhe nuk kanë lidhje me specializimin e pedagogut në fjalë. Futja e lëndëve ose kurseve në anglisht do bëj të mundur që në Shqipëri të japin mësim pedagogë të përgatitur nga perëndimi që do të sjellin jo vetëm ekspertizë të azhornuar dhe cilësinë më të lartë të informacionit dhe didaktikës por do të lejonin specializimin në pak profile të pedagogëve të tjerë dhe ç'është më e rëndësishmja do të sillnin një konkurrencë shumë të shëndetshme në shkollat tona. Kjo nismë ka hasur tashmë kundërshtime nga individë të ndryshëm konservatorë të botës akademike shqiptare cilët kanë frikë se ballafaqimi i studentëve me literaturën, ekspertizën dhe burimet cilësore perëndimore që gjenden në anglisht do të nxjerrë në pah mediokritetin, injorancën dhe prapambetjen e tyre. Ballafaqimi me tekste mësimore dhe me literaturën më të fundit për degë të ndryshme shkencore kanë për të demaskuar sharlatanizmin e shumë pseudo akademikëve që hiqen me të madhe si baballarë të shkencave në Shqipëri por që në të vërtetë janë shumë larg debateve më moderne dhe të përditësuara të fushave ku janë specializuar. Për mos të thënë pastaj që shumë prej këtyre profesorëve të ndryshkur i kundërvihen masivizimit të anglishtes pasi kanë frikë se do të zbulohet fakti që shumë nga botimet, punimet apo studimet e tyre janë thjesht plagjarizma, të përkthyera me ngut e zor nga studentët e tyre. Prandaj një avantazh tjetër i njohjes masive të anglishtes është pikërisht eliminimi i monopolit të diturisë që mbahet nga profesorët e ndryshëm dhe pajisja e studentëve me mundësi alternative për të shtënë në dorë informacion si dhe me një mjet presioni për të nxitur pedagogët e tyre që të ecin me hapin e kohës dhe të respektojnë integritetin akademik. |
CONFIDENTIALITY STATEMENT. The information contained in this e-mail message, including attachments, is the confidential information of, and/or is the property of, Vanguard. The information is intended for use solely by the individual or entity named in the message. If you are not an intended recipient or you received this in error, then any review, printing, copying, or distribution of any such information is prohibited, and please notify the sender immediately by reply e-mail and then delete this e-mail from your system.
No comments:
Post a Comment